Raul Gonzales do t’i japë lamtumirën Shalkes në fundin e këtij sezoni për të vazhduar karrierën e tij futbollistike në një kampionat më pak cilësor. Lajmi është konfirmuar si nga klubi gjerman, ashtu dhe nga vetë futbollisti që ka mbajtur një konferencë për shtyp.
“Nuk do të kthehem të luaj në Spanjë, ndonëse kam marrë dy oferta shumë të mira nga klubet spanjolle. Unë do të vazhdoj të vendos bazat për një të ardhme të mëtejshme në futboll”, tha lojtari në konferencën për shtyp ku bëri të ditur vendimin e tij.
“Do t’i mbaj në zemër këto dy vite të shkëlqyera te Shalke, jam ndjerë si në shtëpinë time. Dua të falënderoj të gjithë stafin teknik dhe tifozerinë e Shalkes, që më ka mbështetur gjithmonë”, ishte “lamtumira” emocionale e futbollistit. Nga ana e vet, edhe klubi po mendon që t’i bëjë atij një dhuratë të rrallë, duke vendosur të tërheqë përfundimisht fanellën me numrin 7, për ta falënderuar për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë ai, duke shënuar 39 gola në 2 vitet me fanellën e këtij ekipi.
“Vendimi nuk ka qenë aspak i lehtë dhe kjo për faktin e nuk do të shkoj të luaj në një kampionat të fortë si ai gjerman. Vetëm në javën e ardhshme do të shoh ofertat dhe do të marr një vendim përfundimtar”, ka thënë lojtari spanjoll.
Por gazeta “Marca” ka bërë të ditur se Raul e ka marrë vendimin e tij, pasi ka gjetur akordin me drejtuesit e Al-Ahli, klubi të njohur të Dohas në Katar. Marrëveshja që pritet të nënshkruajë ai është katërvjeçare, ndërsa gjatë kësaj periudhe do të mësojë edhe detyrën e trajnerit apo të drejtorit sportiv, pasi këto janë ambiciet e tij për të ardhmen. (LajmeShqip.com)
Thursday, 19 April 2012 14:08