“Ishte një Inter i madh, sot ka parë në fushë Interin”, ishin fjalët e para të Klaudio Ranierit pas përfundimit të takimit ku skuadra e tij fitoi 2-0 në minutat e fundit në fushën e Kievos. Pas golit të dytë, telekamerat kanë parë se si trajneri përlotej në pankinë. “Po është e vërtetë, jam mallëngjyer! E kam për zemër punën time dhe e dëshironim këtë fitore pasi kishim marrë shumë shpulla gjatë kohëve të fundit”, tha ai.
“Jam i lumtur për djemtë që po luanin mjaft mirë që në fillimin e ndeshjes, e meritonin pas një muaji pa fitore dhe gjithçka që kemi kapërdirë këto kohë, ishte një sodisfaksion edhe për ta. Pas penalltisë të pritur nga Sorrentino, dukej se skuadra do të merrte një goditje tjetër, por sonte të gjithë luajtën si Interi i vërtetë”, tha trajneri.
Edhe presidenti i Interit, Masimo Morati, beson se kjo fitore do të shërbejë më shumë për moralin para sfidës së Ligës së Kampioneve me Olimpik Marsejën, ku zikaltërve i duhet të përmbysin disavantazhin 0-1.
“Jam i lumtur për rezultatin që është shumë i rëndësishëm për perspektivën pasi kemi një ndeshje të rëndësishme të martën dhe këto gola mund të jenë të vlefshëm për moralin e lojtarëve. Sot skuadra ka luajtur si Inter, pasi ka fituar me siguri të plotë, po e di që të gjithë mund të bëjnë më shumë”, deklaroi presidenti i Interit pas ndeshjes. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 March 2012 11:46