Fitorja 5-0 ndaj Parmës ka kthyer Interin në një pretendent, pasi tashmë zikaltërit kanë siguruar fitoren e 5-të radhazi në kampionat dhe i janë afruar vendit të katërt. Për këtë arsye, trajneri Klaudio Ranieri është i bindur se ky ekip mund të arrijë më shumë dhe se ka lënë pas fillimin e dobët të sezonit.
“Shifrat më kënaqin, pasi nevojiten për të kuptuar gjëra të veçanta. Kam thënë gjithmonë se kisha besim te djemtë dhe te puna e tyre. Shihet që ata nuk kishin mbaruar si lojtarë. Se çfarë mund të arrijmë do ta tregojë vetëm vazhdimi i kampionatit, por mund të themi se po rregullojmë një situatë që ishte shumë e komplikuar”, deklaroi ai.
Që nga e hëna, zikaltërit do të fillojnë të mendojnë për derbin me Milanin, të cilin nuk e fitojnë që prej vitit të “Tripletës”.
“Suksesi i atij viti mbetet në histori dhe në dhomën e trofeve të klubit, por tani ka rëndësi çfarë japim aktualisht në fushën e lojës. Shnajder e Forlan? Mund të jenë blerjet tona më të rëndësishme nëse integrohen shpejt”, përfundoi trajneri i Interit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 08 January 2012 11:09