Mediat italiane janë të sigurta se e ardhmja e Klaudio Ranierit do të varet nga ndeshja me Napolin, por vetë trajneri i Interit nuk e mendon në të njëjtën mënyrë.
“Unë nuk e ndjej veten në rrezik. Klubi dhe presidenti më kanë mbrojtur, si brenda klubit, ashtu edhe mediatikisht. Unë e di se ku e kam marrë skuadrën dhe ku po e dërgoj, sido që të shihet, tani jemi vetëm një pikë larg Napolit. Unë e ndjej skuadrën afër meje”, ishte komenti i trajnerit.
Ai nuk ka ngurruar të theksojë se pret rezultate më të mira në të ardhmen. “Shpresojmë që së shpejti të mbyllet kjo periudhë e pafat. Vijmë nga 6 humbje radhazi dhe më keq se kaq është e pamundur të bëjmë. Personalisht më ka pëlqyer ndeshja që kemi bërë ndaj Marsejës, ndonëse goli i pësuar na dha një goditje të rëndë”.
“Me Moratin flas shpesh, është i qetë. Edhe atij i ka pëlqyer ndeshja e Marsejës dhe ashtu si ne, është mërzitur nga humbja. Ka kërkuar një reagim dhe ne do ia japim”.
Më pas, Ranieri është ndalur te individët e veçantë. “Milito i mërzitur se nuk ka luajtur në Francë? E pyeta, më mohoi gjithçka. Shnajder? Ka bërë një ndeshje të shkëlqyer, nuk e kam parë ndonjëherë të vrapojë kaq shumë për skuadrën”.
“Palombo blerje e dështuar? Kërkoja një lojtar me karakteristikat e Mota, më sollën atë. Por në këtë pozicion unë shoh më mirë Stankoviç që ka edhe më shumë eksperiencë si interist”, përfundoi Ranieri. (LajmeShqip.com)
Saturday, 25 February 2012 20:12