Serxho Ramos vazhdon të tregohet shumë më i sinqertë se lojtarët e tjerë të Real Madrid, ndërsa ka pranuar se në të kaluarën ka patur probleme me Zhoze Murinjon, gjë të cilën nuk e ka pranuar asnjë futbollist tjetër i madrilenëve.
“Kemi patur mosmarrëveshjet tona në momente të veçanta, por kur kemi patur gjëra për të sqaruar me njëri-tjetrin, e kemi bërë personalisht dhe nuk ka patur asnjë pasojë, apo nuk u janë thënë gjëra njerëzve të tjerë. Marrëdhënia ime me të është shumë e mirë”, tha Serxho Ramos, i cili ka insistuar të shpjegojë edhe çështjen e famshme të fanellës së Ozil që e kishte mbajtur poshtë të tijës në një ndeshje ku Murinjo kishte kritikuar pikërisht futbollistin gjerman.
“Ai është më shumë se një mik brenda skuadrës për mua. Kjo ishte një mënyrë që të tregoja dashamirësinë ndaj tij, për momentin e vështirë që po kalonte. Por në asnjë moment nuk ishte një sfidë direkte ndaj trajnerit, ishte e kundërta”.
Mbrojtësi është zgjedhur si më i miri i kampionatit në këtë rol nga Liga e Futbollistëve Profesionistë në Spanjë, por Ramos mendon se titujt kolektivë janë shumë më të mirë.
“Unë jam shumë më i prirur ndaj titujve kolektivë se ndaj atyre individualë, por nuk e mohoj që të marrësh të tillë të nxit të vazhdosh të punosh më shumë çdo ditë. Por nuk jetohet me të kaluarën dhe ky çmim erdhi për sezonin ku u shpallëm kampionë, i cili do të mbetet si një nga vitet më të mira të karrierës time”, tha futbollisti që luan sot ndeshjen e 98-të me kombëtaren e Spanjës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 14 November 2012 17:07