Zhoze Murinjo ka injoruar gazetarët duke vendosur të mos paraqitej në konferencën e zakonshme për shtyp para finales së Kupës së Mbretit që Reali i tij luan sot ndaj Atletikos. Por në vend të tij, në sallën e konferencave është shfaqur Serxho Ramos, i cili ka dhënë një spektakël të mirëfilltë para gazetarëve duke iu përgjigjur pa asnjë problem edhe pyetjeve më delikate.
“Nëse jam këtu, do të thotë se ka një arsye. Edhe unë di t’i përgjigjem pyetjeve si trajneri. Jemi këtu për të folur për futboll e jo për polemika apo për të ardhmen e ndokujt. Sot vendosëm që do të ishin lojtarët që do të flitnin dhe unë jam shumë i lumtur që jam në gjendje ta bëj një gjë të tillë. Nuk jam këtu për të folur rreth Murinjos por për të folur rreth finales”, deklaroi ai.
Ramos në një moment arriti edhe të bënte humor me gazetarët e pranishëm, duke pretenduar sikur kishte një kufje në vesh nga e cila dëgjonte instruksionet e Murinjos, ndërsa shpesh iu shmang me shumë stil pyetjeve me spec që i bëheshin nga salla.
“Të jemi realistë, nëse humbim do të jetë një dështim përsa i përket titujve, por jo në aspektin personal. Nuk bëhet fjalë që të mundohemi të shpëtojmë sezonin me një titull, por për ta mbyllur atë sa më mirë. Mund të humbësh, por ka mënyra e mënyra se si të humbësh. Gjëja më e rëndësishme është grupi, mbi çdo individ”, ishte mesazhi i qartë i tij.
Në fund ai lëshoi edhe një batutë rreth Kristiano Ronaldos dhe mundësisë së largimit të tij në fund të këtij sezoni.
“Janë të pakët njerëzit që kanë 1 miliard euro për të paguar klauzolën e Kris. Ai është i lumtur te Real Madrid dhe dëshiron të vazhdojë aty”. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 May 2013 09:46