Mbrojtësi francez i Valencias, Adil Rami, duket se do të transferohet në kampionatin italian në sezonin e ardhshëm, pasi futbollisti ka pranuar se aktualisht është në fazën e negociatave me klubet e Interit dhe Romës në këtë kampionat.
Qendërmbrojtësi është një titullar te klubi spanjoll, ndërsa në sezonin e fundit ka luajtur vetëm 21 ndeshje për shkak të disa dëmtimeve që e kanë shqetësuar.
Lojtari mendohej se mund të përfundonte në kampionatin anglez, pasi Mançester Junajtid dhe Arsenal kishin shfaqur interesim për të, por tashmë duket se ai ka ndryshuar destinacion dhe do të përfundojë në Itali.
“Eshtë e vërtetë që jemi në bisedime me Interin dhe Romën, por asgjë nuk është vendosur. Ekziston rreth 60% mundësi që unë të largohem nga Valencia. Klubi aktualisht më ka ofruar një kontratë të re dhe është një propozim mjaft interesant, por unë e refuzova atë”, zbuloi ai.
Rami është pjesë e përfaqësues franceze, pasi ka luajtur 25 ndeshje me të, duke shënuar 1 gol. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 June 2013 23:41