Mino Raiola, një nga menaxherët më të famshëm në botë, ka bërë një analizë të shkurtër të gjërave që pritet të ndodhin në merkaton e futbollistëve në Itali, duke folur për dy nga sulmuesit që menaxhon aktualisht, Robinjo dhe Baloteli.
Sipas tij, i pari me shumë mundësi do të largohet nga Milani që pret oferta për të, ndërsa i dyti as që ka ndër mend të largohet nga Mançester Siti.
“Për Robinjon po punojmë dhe po vlerësojmë situatën. Për momentin kanë ardhur oferta të cilat te Milani as që janë marrë në konsideratë, pasi mendoj se futbollisti është aktualisht thelbësor për këtë skuadër. Të shohim nëse do të vijnë të tjera nga Brazili”, tha ai duke iu referuar interesimit të konfirmuar nga Santos.
Përsa i përket Balotelit, Raiola ka mbyllur çdo shteg për kthimin e sulmuesit italian në vendlindje, e për më tepër të kuqezinjtë.
“Baloteli është te Mançester Siti dhe do të vazhdojë të qëndrojë atje. Edhe Xhokonda nuk ka lëvizur asnjëherë nga ku ka qëndruar në vitet e fundit. Unë nuk jam pronari i ëndrrave të Berluskonit. Mario nuk ka vazhdimësi? Sfida është ajo e transformimit në një titullar gjithmonë, sa herë që i jepet një fanellë e rëndësishme, ai fut gjithmonë këmbën. Në këtë situatë, diçka duhet ta përmirësojë ai, por duhet të ndjejë edhe besimin e klubit, po punohet në këtë drejtim. A më ka kërkuar ndonjëherë të kthehet në Itali? Po, dy vite më parë, por pas atij momenti negativ as që e ka përmendur më këtë çështje”, tha Raiola. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 December 2012 14:56