Edinson Kavani mund të largohet nga Napoli. Faktin e ka konfirmuar menaxheri i tij, Mino Raiola, i cili ka zbuluar edhe shifrën e vendosur në kontratën e futbollistit për një largim të mundshëm nga skuadra italiane.
“Për shifrën e 62 milionë eurove, ka skuadra të cilat do të merrnin menjëherë një sulmues si Kavani”, ishte deklarata e menaxherit që administron disa prej lojtarëve më të njohur në botë dhe ka qenë protagonist i transferimeve të bujshme në vitet e fundit.
“Sot, për atë që përfaqëson Kavani dhe për mungesën e sulmuesve të mirëfilltë në qarkullim, ai i vlen plotësisht 62 milionë euro, por vlerën e lojtarit nuk e vendos me saktësi kush shet, por ai që blen”, tha Raiola, duke aluduar për klubet që kanë kapital të pakufizuar për shpenzime marramendëse si Mançester Siti e PSZH që janë në pronësi të sheikëve të Katarit.
Më pas, ai ka vendosur të sqarojë edhe një herë se Mario Baloteli, një tjetër lojtar që përfaqëson, nuk do të largohet nga Mançester Siti, falë dëshirës së lojtarit, por edhe të vetë klubit anglez.
“Raportet mes Mario dhe klubit janë shumë të mira. Raportet mes Mario dhe Mançinit janë pak a shumë si ato mes një çifti të martuar. Baloteli dëshiron të qëndrojë dhe klubi është shumë i lumtur që e mban, ndaj gjithçka shkon mirë, nuk rri të lexoj se çfarë shkruajnë gazetat britanike”, tha Raiola. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 November 2012 10:56