Mino Raiola, menaxheri i Zlatan Ibrahimoviç, ka sulmuar ashpër drejtuesit e futbollit botëror, duke i krahasuar ata me mafiozë. Sipas tij, korrupsioni dhe politika kanë pushtuar FIFA-n dhe UEFA-n. I gjithë ky shpërthim ka ardhur në një intervistë të dhënë për gazetën suedeze “Expressen”, në të cilën ai ka folur për “Topin e Artë”.
“FIFA dhe UEFA janë njëlloj, i njëjti m…. Nëse Zlatan nuk e fiton “Topin e Artë”, do të shtohet ideja që ky trofe është politikisht i korruptuar. Nëse doni që çmimi të merret seriozisht, duhet që lojtari më i mirë ta fitojë atë. Lojtari më i mirë prej disa vitesh ka qenë Zlatan”.
“Këto organizata nuk janë transparente, në disa vende ato mund të krahasohen me organizata mafioze. Nëse qeveria suedeze do të sillej në të njëjtën mënyrë, ky shtet do të kalonte në revoltë”, ishte akuza e Raiolës i cili më pas ka sulmuar ashpër Mishel Platini, presidentin e UEFA-s.
“Ai nuk është mik i Mino Raiola, presidenti francez i UEFA-s është një bos mafioz. Platini nuk ka bërë asnjëherë diçka të rëndësishme për futbollin. Nëse do të ishte njeri me kuraje, do ta ndryshonte UEFA-n”.
“Fair-play financiar tregon edhe një herë që Platini është i paaftë. Për FIFA-n dhe UEFA-n, sheikët e Katarit nuk mund të sponsorizojnë PSZH, por si t’ia bëjmë që të tillë janë edhe sponsorët e Ligës së Kampioneve? Ai kritikon PSZH dhe rrogat e larta, por janë të njëjtat para që përfundojnë në arkat e UEFA-s”, ishte akuza e rëndë e menaxherit të sulmuesit suedez. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 31 October 2012 20:52