Trajneri i Monakos, Klaudio Ranieri, ka treguar se si klubi i tij është shumë pranë firmës me Radamel Falkaon, për të transferuar sulmuesin në Francë gjatë merkatos së verës. Sipas tij, kolumbiani është lojtari perfekt për të nisur dhe ndërtuar një projekt fitues.
“Kush nuk do ta dëshironte një lojtar që shënon gjithmonë? Shpresojmë që të bashkohet me ne. Në këtë mënyrë, ne do të fillojmë të ndërtojmë për të ardhmen”, u shpreh tekniku italian për “Sky Sports”.
Skuadra e principatës franceze u shpall kampione e kategorisë së dytë, por Ranieri dëshiron që në vitin e kthimit në elitën e futbollit francez, të jetë menjëherë pretendent për objektiva të rëndësishëm.
“Tani objektivi ynë është të kthehemi të luajmë në Ligën e Kampioneve. Përse nuk duhet të jemi në gjendje që të luajmë në Evropë në sezonin e ardhshëm? Por tani na duhet që të ndërtojmë një skuadër më të fortë, pasi në kampionatin francez ka shumë kundërshtarë të fortë. Duhet të përqendrohemi fillimisht të kampionati”.
“Gjëja më rëndësishme tani është të ndërtojmë një skuadër të re. Kemi plane të mëdha, por nuk duam të flasim rreth transfertave specifike. Ekziston një projekt i madh te Monako”, u shpreh ai. (LajmeShqip.com)
Sunday, 19 May 2013 11:09