Kimi Raikonen, pilot i Lotus në Formula 1, shpreson që të kthehet në Kampionatin Botëror Relli për garën e Finlandës që zhvillohet në gusht. Finlandezi u largua nga ky kampionat ku garoi për dy vite radhazi me një makinë Citroen.
Gara e Finlandës është ajo në të cilën Raikonen ka më shumë eksperiencë, pasi ka garuar atje për tre vite radhazi, me rezultatin e tij më të mirë që është ai i vitit të kaluar, pasi u rendit i 9-ti. Ai mund të marrë pjesë edhe këtë vit në garë, pasi ajo zhvillohet gjatë pushimeve të verës së Formula1.
Por skuadra e tij Lotus nuk është dakord me këtë ide të pilotit finlandez, duke parë edhe precedentët aspak të kënaqshëm që ka me pilotët e saj në garat relli. Robert Kubica vazhdon të mbetet jashtë garave të Formula 1 për shkak të një incidenti që pësoi para fillimit të sezonit të kaluar kur u përplas me një makinë Skoda Fabia S2000 gjatë një gare në Itali.
“Do të dëshiroja të garoja në Finlandë në relli këtë sezon, pasi përputhet me kalendarin, por nuk e di nëse ma lejon skuadra ta bëjë një gjë të tillë. E dija që garat relli ishin të vështira, por nuk e prisja kaq shumë në nivelet më të larta”, tha finlandezi ish-kampion bote në Formula 1, që si rezultat më të mirë në relli ka vendin e pestë të marrë në garën e Turqisë në vitin 2010. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 13:20