Rafael Nadal dhe Serena Uilliams janë konfirmuar si dy tenistët më të fortë të momentit, pasi kanë siguruar suksesin e radhës në një turne Masters 1000, duke triumfuar në Romë.
Nadal ka mundur pa shumë vështirësi zviceranin Roxher Federer në dy sete, 6-1 dhe 6-3, duke mos i dhënë mundësinë ish-numrit 1 në botë që të reagonte. Për spanjollin ky ishte suksesi i 7-të në turneun italian që zhvillohet në fushën e tij të preferuar me dhe të kuq.
Tashmë spanjolli ka një avantazh psikologjik shumë të rëndësishëm para fillimit të “Roland Garros”, pasi shkon në turneun francez me dy suksese të rëndësishme, pas atij të siguruar javën e kaluar në Madrid. Ndërkohë, ai ka një avantazh shumë të rëndësishëm psikologjik edhe përballë Federer, pasi bilanci i tij me zviceranin ka shkuar në 20 fitore e 10 humbje në 30 ndeshjet që kanë zhvilluar ndaj njëri-tjetrit.
Në turneun për femra ka fituar tashmë e zakonshmja Serena Uilliams, e cila po dominon skenën e tenisit femëror. Amerikania, edhe ajo fituese në Madrid një javë më parë, ka mundur në dy sete, 6-1 dhe 6-3, një prej rivaleve të saj më të mëdha, Viktoria Azarenka, duke thelluar diferencën në kreun e renditjes botërore.
Amerikania është në një formë të shkëlqyer dhe shumë më e fortë se të gjitha kundërshtaret e saj, aq sa tani të gjithë janë thuajse të sigurt se me përjashtim të ndonjë dëmtimi të mundshëm, asgjë nuk mund ta ndalë drejt fitores së “Roland Garros”. (LajmeShqip.com)
Sunday, 19 May 2013 18:59