Radamel Falkao duket se do t’i thotë jo ofertave të ardhura nga kampionati anglez apo nga Real Madrid, pasi po bëhet gati të transferohet në Francë. Por kolumbiani nuk do të shkojë te PSZH, ashtu siç është aluduar shpesh, por te rivalët e kësaj skuadre, Monako, të cilët ngjiten në sezonin e ardhshëm përsëri në elitën e futbollit francez.
Klubi i principatës, i kaluar në pronësinë e miliarderit Dmitri Rybolovlev, mendohet se do të shpenzojë rreth 200 milion euro në fushatën e blerjeve gjatë verës, për të afruar lojtarë sa më cilësorë dhe për t’u kthyer menjëherë në një pretendent për titullin kampion në Francë.
Por para se të japë përgjigjen pozitive, i interesuar edhe nga rroga e lartë prej 10 milion eurosh në vit që i ofrohet në “parajsën fiskale të Evropës”, Falkao i ka bërë të qartë francezëve se dëshiron të shohë listën e blerjeve. Ai do të jetë i sigurt se në skuadrën e ardhshme do të luftojë për titull dhe shumë shpejt mund të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, aktivitet që nuk ka arritur ende t’i gëzohet.
Ai ka kërkuar gjithashtu që të ketë edhe një partner të denjë sulmi, e për këtë arsye, Monako ka nisur menjëherë tentativat për transferimin e Karlos Tevez nga radhët e Mançester Sitit, pasi trajneri Klaudio Ranieri e sheh argjentinasin si lojtarin perfekt për të kombinuar me Falkaon në repartin e avancuar. (LajmeShqip.com)
Friday, 10 May 2013 09:07