Mark Hjugs është shkarkuar sot nga detyra si trajneri i skuadrës së QPR, ndërsa klubi ka emëruar menjëherë në vend të tij trajnerin e mirënjohur Herri Redknap. Por ish-trajneri i Totenhem nuk do të fillojë menjëherë punën, pasi do të jetë zëvendëstrajneri Mark Bouen që do të drejtojë ekipin në takimin kundër Mançester Junajtid në këtë fundjavë.
Redknap do të marrë zyrtarisht detyrën vetëm të dielën, me synimin për të bërë mrekullinë me skuadrën e vetme mes 92 ekipeve profesioniste në Angli që nuk ka arritur të sigurojë asnjë fitore në këtë sezon.
Por trajneri është i njohur për “mrekullitë” që bën me skuadrat që janë në vështirësi të dukshme. Kur ai mori drejtimin e Totenhem, kjo skuadër kishte vetëm 2 pikë dhe objektivi i klubit ishte vetëm të shpëtonte nga rënia në kategorinë e dytë. Redknap renditi skuadrën në vendin e 8-të dhe vetëm dy vite më vonë, londinezët nën drejtimin e tij luanin në Ligën e Kampioneve.
Redknap përflitej si një alternativë e mundshme për të marrë drejtimin e kombëtares ukrainase të futbollit, por duket se ka preferuar të qëndrojë në Angli, në një klub i cili do të jetë plotësisht në dispozicion të tij dhe nuk kursehet kur bëhet fjalë për të blerë futbollistë, pasi në vitet e fundit ka qenë ndër më aktivët në merkato. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 November 2012 14:20