Erkand Qerimaj ka dalë sot para gazetarëe në një konferencë për shtyp për të sqaruar pozitën e tij pas lajmit se shtangisti që u shpall Kampion Evrope për peshën 77 kilogram, kishte rezultuar pozitiv ndaj substancës “metyl hexanamine”.
“Kam bërë testin e parë më 4 prill dhe rezultova i pastër. Por tetë ditë më vonë, pikërisht në ditën e garës, iu nënshtrova testit të dytë, ku çuditërisht rezultova pozitiv. Edhe më 12 prill kam deklaruar konsumimin e të njëjtës vitaminë si në 4 prill. Këtë e kam deklaruar edhe në formularin e plotësuar dhe në dijeninë time, kjo vitaminë nuk ishte e ndaluar”, tha Qerimaj.
Ai ka bërë të qartë se pret me qetësi vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes dhe mendon se nuk do të pezullohet, ndërsa po vazhdon stërvitjen për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Londër 2012.
“Unë kam 10 vjet që garoj dhe fitoj nëpër turne ndërkombëtare dhe sot jam ballëhapur e pres me qetësi vendimin e Komisionit të Apelit të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes. Unë kam për objektiv të sjell në Shqipëri një medalje olimpike”, ishin fjalët e Qerimajt.
Tani pritet vendimi i FNP, e cila do të vendosë nëse ka nevojë për analiza të tjera nga peshëngritësi shqiptar, apo ta pezullojë atë, duke i hequr njëkohësisht titujt e marrë dhe mundësinë e pjesëmarrjes në Londër 2012, ku ai shpresonte në një renditje mes më të mirëve. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 19:46