Hysen Pulaku është ende në pritje të vendimit për kohëzgjatjen e pezullimit për faktin se ka rezultuar pozitiv në analizat antidoping, por shtangisti 20 vjeçar ka treguar para Komisionit Disiplinor të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar se nuk e di se në çfarë rrethanash ka konsumuar stanozololin.
Komisioni i përbërë nga Tomas Bah, Denis Osvald dhe Frank Frederiks, ka zbuluar për gazetën spanjolle “AS” se çfarë është diskutuar me peshëngritësin shqiptar që pritej të ishte protagonist në garën e 77 kilogram, para se t’i hiqnin atij akreditimin dhe ta përjashtonin nga Lojërat Olimpike.
Sportisti ka shpjeguar se në dhjetorin e vitit 2011 ka udhëtuar drejt Kalifornisë në SHBA, në lokalitetin Danvill, për t’u stërvitur me një përgatitës personal. Sipas këshillës së këtij të fundit, ai ka konsumuar gjatë stërvitjeve atje një seri produktesh që ai i rekomandoi dhe që Pulaku ia ka përshkruar Komisionit të Disiplinës. Shtangisti ka konfirmuar se ka marrë kreatinë (Crea-Alka), L-Karnitin, Proteina Bio-Tek, Vitamina (C, E, B12), Acid Folik dhe Magnez (Acid Orotik), për ta ndihmuar në përgatitjen.
Atleti ka deklaruar se kishte besim të plotë të trajneri i tij dhe për këtë arsye nuk ishte në dijeni të faktit nëse këto produkte përmbanin substanca të ndaluara. Sipas tregimit të tij, ai është kthyer në Evropë në prill, duke marrë pjesë në Evropianin e Antalias ku ka kaluar pa probleme testin antidoping, ndërsa më pas është kthyer përsëri në SHBA për të vazhduar përgatitjet.
Pulaku më pas ka konfirmuar se duke qenë i pakënaqur me rezultatin e Antalias ku doli vetëm 6-ti, ka folur me përgatitësin e tij se si duhej të vepronte për të përmirësuar paraqitjet në Lojërat Olimpike, por ky i fundit nuk i ndërroi asnjë prej produkteve që konsumonte gjatë kësaj periudhe.
Me datën 10 qershor, atleti u kthye në Shqipëri dhe pastaj iu bashkua delegacionit që mbërriti në Londër dhe iu nënshtrua testeve antidoping, ku ai ka përshkruar në letrën përkatëse të gjitha produktet që ka konsumuar gjatë stërvitjes.
Por kjo dëshmi nuk e shpëtoi shtangistin shqiptar i cili u përjashtua me vendim unanim nga Londër 2012, ndonëse përfaqësuesit e delegacionit shqiptar kërkuan që të merrej parasysh mosha e re e sportistit. Komisioni i Disiplinës i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar vendosi që të lajmërojë edhe Agjencinë Antidoping në SHBA që të hetojë çështjen dhe personat e përfshirë në territorin e këtij vendi, duke e cilësuar në këtë mënyrë përgatitësin e Pulakut si shkaktarin kryesor të kësaj ngjarje. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 July 2012 11:40