Karles Pujol po kërkon të largohet nga Barcelona pasi ëndërron që të luajë me Milanin para se të mbyllë karrierën e tij. Lajmi vjen nga burime pranë klubit katalanas ku është konfirmuar për mediat spanjolle se futbollisti kërkon të largohet për të realizuar këtë ëndërr që ka pasur si fëmijë.
Pujol është i ndërgjegjshëm që nuk do të jetë më pjesë e rëndësishme e Barcelonës që nga sezoni i ardhshëm, edhe pse ka një kontratë deri në vitin 2016. Ndonëse klubi ka vënë një klauzolë largimi prej 10 milion eurosh, katalanasit janë gati ta lënë të largohet falas nëse ai do të kërkojë me çdo kusht të iki.
35 vjeçari ka më shumë se një muaj e gjysmë që nuk luan pasi u operua në kavilje dhe mendohej se po bëhej gati për sezonin e ardhshëm. Por mbrojtësi tashmë duket se po përgatitet për një skuadër tjetër, jo për Barcelonën, me Milanin që është gati të nisë bisedimet sapo katalanasit t’i japin leje të diskutojë kushtet e mundshme të një kontrate me lojtarin spanjoll.
Sipas mediave spanjolle, Pujol i ka bërë të qartë klubit italian se lëvizja e tij nuk është për të fituar para, pasi ka kërkuar një kontratë normale. Ai thjesht dëshiron që të luajë për kuqezinjtë, skuadër në të cilën ka luajtur idhulli i tij, Paolo Maldini. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 08 May 2013 11:48