Transferimi i Eshli Kol drejt PSZH praktikisht është konfirmuar nga klubi francez që ka deklaruar në adresën zyrtare të Twitter se lojtari do t’i bashkohej gjatë verës së ardhshme. Lajmërimi, i shfaqur për disa minuta në adresën zyrtare të klubit, thoshte se Kol do të bashkohet me këtë ekip në sezonin e ardhshëm.
“Mbrojtësi i majtë anglez, Eshli Kol, do të bëhet një lojtar kuqeblu këtë verë”, ishte ky koment që pas disa minutash u zhduk, por që qartësisht tregoi se marrëveshja mes palëve është thuajse e arritur.
Kol dhe Frenk Lampard pritet të largohen në fund të këtij sezoni nga klubi londinez, fakt që është konfirmuar edhe nga trajneri Benitez, pasi asnjë prej tyre nuk dëshiron të përmbushë kërkesën e klubit vetëm për rinovim njëvjeçar.
Kol, i cili ka luajtur 99 ndeshje me fanellën e kombëtares angleze, ka fituar me këtë skuadër një titull kampion, 4 Kupa FA dhe një Ligë Kampionesh, që nga momenti kur iu bashkua në gushtin e vitit 2006 nga rivalët e Arsenalit.
Lampard, i cili regjistron 93 ndeshje me Anglinë, iu bashkua Çelsit nga Uest Hem në vitin 2001 ndërsa që atëherë është bërë golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e klubit me 189 gola të shënuar në 571 ndeshje. (LajmeShqip.com)
Sunday, 25 November 2012 15:33