Paris Sent Zhërmen do të mundohet të tundojë Eshli Kol për t’u transferuar në Paris falë një oferte prej 185 mijë eurosh në javë për tre vitet e ardhshme.
Klubi francez është më i favorizuari për të siguruar shërbimet e lojtarit të kombëtares angleze dhe me sa duket është gati t’i vërë atij para një kontratë mjaft të mirë, ndërsa duket se karrierës së tij te Çelsi i ka ardhur fundi.
Londinezët i kanë ofruar atij vetëm një kontratë njëvjeçare për rinovimin, të cilën Kol e ka refuzuar duke bërë të qartë se kërkon një marrëveshje afatgjatë. Kol, që mbush moshën 32 vjeç në dhjetor, ka bërë të qartë se është gati të largohet, ndonëse ndjehet mirë në Londër.
Sipas burimeve të ndryshme, klubi ka bërë të qartë se është gati të heqë dorë nga futbollisti që në janar, edhe për faktin se Rajan Bertrand, zëvendësuesi i tij i mundshëm, ka patur një rritje të vazhdueshme në këtë sezon dhe pritet të jetë në të ardhmen edhe alternativë e mbrojtësit në kombëtaren angleze. Ndonëse Bertrand luan si mesfushor i majtë, Di Mateo është i bindur se ai do të ishte perfekt në mbrojtje.
Kjo është arsyeja pse PSZH është gati të ulet në janar për diskutime të gjata me Kol, fakt që është pranuar edhe nga Karlo Ançeloti i cili e vlerëson anglezin si mbrojtësin e majtë më të mirë në botë. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 October 2012 17:01