Paris Sent Zhërmen ka filluar të interesohet për Andre Vijas Boas, trajnerin e Totenhem, pasi e sheh atë si zëvendësuesin perfekt të Karlo Ançelotit në pankinën e skuadrës.
Presidenti i parisienëve, Naser El-Khelaifi, gjatë javëve të fundit ka zhvilluar bisedime intensive me këshilltarët e tij, për të gjetur një zgjidhje rreth situatës së trajnerit dhe emri i portugezit është shfaqur i pari në listën e preferencave të mundshme.
35 vjeçari shihet si një nga trajnerët më premtues në qarkullim dhe fakti që në 3-4 vitet e fundit ka drejtuar skuadra si Porto, Çelsi e Totenhem, e bën edhe më interesant në sytë e sheikëve nga Katari. Kuptohet që preferenca e tyre e parë do të ishte rinovimi afatgjatë me Karlo Ançelotin, por dëshira e këtij të fundit për t’iu bashkuar Real Madrid mund të shtyjë për këtë ndryshim të rëndësishëm.
Vijas Boas, ndonëse nuk arriti të çonte Totenhem në Ligën e Kampioneve, pasi përfundoi kampionatin 1 pikë pas krahëve të Arsenalit që i mori vendin e katërt, mendohet se kishte shumë ndikim në shpërthimin e Garet Beil, që në këtë sezon është ngjitur në nivele të jashtëzakonshme.
Kjo ka bindur drejtuesit e PSZH që ta marrin më shumë në konsideratë si hipotezë, ndërsa nuk do ta kishin problem të paguanin një klauzolë të mundshme largimi nga londinezët, pasi kanë fuqinë financiare për të përballuar çdo shifër të mundshme. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 June 2013 12:31