Paris Sent Zhërmen është skuadra e radhës që hyn në luftën për të siguruar Garet Beil në fund të këtij sezoni. Parisienët, ndonëse nuk cilësohen mes ekipeve elitare të Evropës nga vetë futbollistit uellsian, duket se janë gati të sigurojnë shërbimet e tij, duke luftuar konkurrencën e Real Madrid.
Damien Komolli, ish-drejtori sportiv i londinezëve që realizoi transferimin e Beil nga Sauthempton te Totenhem disa vite më parë, është i bindur se parisienët do të bëjnë një ofertë të jashtëzakonshme financiare për lojtarin 23 vjeçar në fund të këtij sezoni.
“Kur largohesh nga Totenhem dhe je një futbollist si Beil, janë vetëm 3-4 klube tek të cilat mund të shkosh. Nëse PSZH e di që lojtari është në shitje dhe ekziston mundësia e blerjes së tij, nuk do të çuditesha nëse do të bënin të pamundurën për ta blerë atë”, tha ish-drejtori sportiv i Totenhem.
Megjithatë, pak ditë më parë ishte vetë Beil që bëri të qartë se nuk e sheh me aq prioritet alternativën e transferimit në Francë.
“Për momentin, PSZH nuk janë në të njëjtin nivel me Barcelonën, Real Madrid, Mançester Junajtid apo Bajern Mynih”, pohoi ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 11 March 2013 10:04