Menaxheri i mesfushorit italian të PSZH, Marko Verrati, ka bërë të ditur se klubi francez po përgatitet t’i rinovojë kontratën lojtarit, për të evituar largimin e tij të mundshëm drejt Real Madrid. Futbollisti 20 vjeçar ka qenë në një formë mjaft të mirë në kryeqytetin francez gjatë sezonit të kaluar, duke bërë në total 27 ndeshje dhe duke dhënë 4 asist.
Futbollisti mendohej se ishte kthyer në një objektiv të merkatos së Real Madrid, por tashmë PSZH ka bërë të qartë se nuk dëshiron të heqë dorë nga ai.
“Ai është i lumtur te PSZH dhe në javën e ardhshme do të takohet me drejtuesit për të folur rreth të ardhmes së tij, për të kërkuar një përmirësim të kushteve aktuale të kontratës”, tha menaxheri Donato Di Kampli. “Real Madrid po interesohet për djaloshin. Lexoj gazetat dhe jam shumë i lumtur që Marko po merret në konsideratë nga klube të tilla. Por fillimisht do të ulemi në tavolinën e bisedimeve me PSZH”, tha ai për futbollistin që parisienët blenë një vit më parë nga Peskara për 12 milion euro. (LajmeShqip.com)
Friday, 14 June 2013 09:00