Milionerët e Paris Sent Zhërmen i janë bashkuar garës për të sigurua shërbimet e sulmuesit të Arsenalit, Robin Van Persi. Drejtori sportiv i skuadrës parisiene, Leonardo, ka filluar të pyesë rreth gatishmërisë së holandezit për t’u transferuar drejt Francës këtë verë.
Klubit francez fillimisht iu tha se Arsenali nuk kishte ndërmend të shiste kapitenin, por pasiguria e vazhdueshme e lojtarit, ka bërë që edhe PSZH të ringjallë interesimin ndaj tij. Trajneri Ançeloti e njeh mirë këtë futbollist nga periudha e tij me Çelsin dhe ka shprehur dëshirën që ta ketë në skuadër.
Por Van Persi ka bërë të qartë se do të largohet nga Londra vetëm nëse ka një ofertë të mirë nga një skuadër që lufton për titull në një kampionat cilësor. Për këtë arsye, është Mançester Siti skuadra e vetme që për momentin po përgatit një ofertë formale prej 20 milion paund për sulmuesin, duke i ofruar atij mundësinë të luftojë për titull në Angli dhe trofeun e Ligës së Kampioneve.
Edhe Arsenali po përpiqet ta bindë atë të rinovojë, duke i ofruar 130 mijë paund në javë dhe 5 milion paund “bonus besnikërie” nëse firmos për tre vitet e ardhshme. Kuptohet që kjo ofertë nuk i afrohet asaj të Sitit, ku rroga e tij do të ishte minimalisht 200 mijë paund në javë. (LajmeShqip.com)
Friday, 29 June 2012 10:01