Paris Sent Zhërmen ka marrë një goditje të rëndë që do të dëmtojë planet e kësaj skuadre për t’u kthyer në klubin më të fuqishëm në Evropë. Kjo goditje e rëndë është ekonomike, pasi është zbuluar plani i presidentit Fransua Holand për të taksuar më të pasurit, mes të cilëve edhe futbollistët. Sipas këtij sistemi të ri, taksa prej 75% të fitimit do të paguhet nga kompania që ka punonjës milionerë dhe jo nga individët.
Me pak fjalë, klubi parisien do të duhet të paguajë 70 milion euro në vit vetëm për Zlatan Ibrahimoviç, në një total prej 210 milion euro në 3 vite. Nga kjo shumë, 168 milion euro përfundojnë në arkat e shtetit francez, ndërsa diferenca në xhepat e lojtarit. Kjo shumë kaq e lartë paguhet pasi Ibrahimoviç ka në kontratë fitimin e 14 milion eurove neto dhe se klubi duhet të paguajë çdo takse ndaj shtetit spanjoll, e jo vetë lojtari.
Sikur të mos mjaftonte kjo shifër absurde, PSZH duhet të bëhet gati për të derdhur qindra miliona të tjerë në arkën e shtetit francez, pasi vetëm Tiago Silva (9.5 milion euro në vit) dhe Ezekuiel Laveci (9.4 milion euro në vit) do të bënin që klubi t’i paguante shtetit më shumë se 86 milion euro në vit.
Iniciativa e presidentit francez ka shkaktuar shumë bujë në Francë, me klubet që e kanë akuzuar se po i penalizon me këtë sistem të ri fiskal, ndonëse vetëm sheiku Al-Khelaifi, me sa raportohet nga mediat franceze, për momentin ka bërë të qartë se do të paguajë çdo cent të këtyre taksave, sapo të gjejë një mënyrë tjetër për të anashkaluar përsëri sistemin e Fair Play Financiar të UEFA-s, siç ka bërë deri tani. (LajmeShqip.com)
Thursday, 04 April 2013 09:39