Drejtori sportiv i Paris Sent Zhërmen, Leonardo, ka konfirmuar se klubi francez përfundimisht është tërhequr nga gara për sulmuesin e Mançester Siti, Karlos Tevez.
Shpenzuesit e mëdhenj nga Ligue 1, të cilët po mundohen të nënshkruajnë me mbrojtësin e Çelsit, Aleks dhe mesfushorin e Interit, Tigao Mota, kanë qenë të lidhur vazhdimisht me argjentinasin në javët e fundit pasi dihet që ai dëshiron të largohet nga Premier League.
Agjenti i Tevez, Kia Jorabçian kishte udhëtuar për në Paris për t’u takuar me zyrtarët e klubit të PSZH-së, përfshirë drejtorin sportiv Leonardo dhe trajnerin Karlo Ançeloti. Leonardo ka konfirmuar se PSZH nuk ka mundur të arrijë marrëveshje personale me sulmuesin dhe përfundimisht ka hequr dorë nga transferimi i tij.
“Ne i kemi ndërprerë negociatat,” tha Leonardo për “L’Equipe”. “Për momentin nuk ka shumë lëvizje në treg.”
“Nuk kishim mundësi, ne e kemi studiuar atë, kemi bërë një ofertë të mirë, por nuk arritëm të biem dakord në një marrëveshje. Ne nuk do të paguajmë shumë kështu që kemi hequr dorë nga transferimi i Tevez.”
Leonardo ka bërë të ditur se tani objektivat e merkatos së janarit janë mbrojtësi i Çelsit, Aleks dhe mesfushori i Interit, Tiago Mota.
“Të dy janë emra të mundshëm, por tani për tani, nuk ka asgjë konkrete,” zbuloi ai. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 24 January 2012 15:32