Klubi bardhkaltër ka përfituar nga falja që kishte shpallur muaj më parë qeveria e Kosovës, sepse borxhet kalonin mbi gjysmë milioni euro. Por, sa është dëmi i buxhetit të Kosovës që i shkaktoi ky klub?
Administrata Tatimore e Kosoves (ATK) javën e kaluar ia ka bllokuar kontot klubit të futbollit Prishtina SHPK (Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar) për shkak të mos pagesës së tatimeve ndaj shtetit të Kosovës, raporton portali Sport1.net.
Pas vendimit të ATK-së, drejtori i klubit ka informuar të gjithë aksionarët e klubit duke i paralajmëruar se vendimi i ardhshëm mund të jetë bllokimi i xhirollogarive personale të aksionarëve të klubit dhe xhirollogarive të kompanive të tyre.
Por, sa realisht është borxhi i klubit më të njohur sportiv të Kosovës ndaj ATK-së apo më mirë thënë cili është dëmi që i kanë shkaktuar ata buxhetit të Kosovës deri më tani?
Në ATK një informatë është e pamundur të merret për shkak të ligjit të konfidencialitetit, por burime të sigurta të portalit Sporti 1 brenda klubit të Prishtinës kanë ofruar fakte në kushte anonime.
Borxhi i Prishtinës kishte kaluar mbi gjysmë milioni euro ATK-së për mos pagesën e tatimeve të ndryshme pasi që ajo funksionon si SHPK (Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar), por drejtuesit e saj kanë përfituar nga falja e borxheve tatimore që kishte shpallur qeveria aktuale disa muaj më parë, që ka të bëjë me borxhet deri më 2008.
“Borxhi kishte kaluar gjysmë milioni euro, por klubi ka përfituar nga lehtësimet që ka ofruar qeveria aktuale”, tha burimi i Sporti 1.
Megjithatë, kjo shifër edhe pas faljes nuk është aspak e vogël, për dëmin që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit të Kosovës drejtuesit e klubit.
“Pas faljes së pjesës deri më 2008, borxhi i klubit figuron të jetë mbi 320 mijë euro”, pohon burimi i jonë me kushte anonimiteti.
Sipas tij shifrat janë rritur edhe në bazë të dënimeve dhe kamatave të ndryshme të llogaritura bazuar në ligj në fuqi të administratës tatimore që parashikojnë raste të tilla.
Deri në bllokimin përfundimtar të xhirollogarive bankare, një kohë drejtuesit e klubit kanë përdorur edhe ato të shkollës së futbollit.
Monday, 17 August 2015 11:57