Klubeve të Premier Ligës angleze do t’u kërkohet që të implementojnë sa më shpejt teknologjinë e vijës së portës për ta vënë në zbatim efektiv që në fillimin e sezonit 2013-2014, sipas asaj që ka deklaruar vetë drejtori i komunikimit të këtij kampionati.
Dan Xhonson tha për mediat në Angli se klubet nuk do të kishin alternativë zgjedhjeje nëse të përdornin apo jo teknologjinë, pasi ajo do të bëhej e detyrueshme në sezonin e ardhshëm.
“Jemi në bisedime të avancuara me dy kompanitë “Hawkeye” dhe “GoalRef” që po pajisin FIFA-n me sisteme dhe po punojmë që kjo teknologji të vihet në zbatim që nga sezoni i ardhshëm. Të gjithë klubet do të jenë të detyruara të kenë në përdorim sistemin, në mënyrë që të integrohet në mënyrë universale në turne, përfshirë edhe klubet që ngjiten nga një kategori më poshtë”, shpjegoi ai.
Në vitet e fundit ka pasur mjaft raste të dyshimta dhe të bujshme në arenën ndërkombëtare, ku gjyqtarët mund të ishin ndihmuar nga përdorimi i teknologjisë. Rasti më i njohur i viteve të fundit është ai i Botërorit 2010, ku gjuajtja e Frenk Lampard në ndeshjen ndaj Gjermanisë nuk u cilësua gol, edhe pse pamjet televizive treguan se topi kishte kaluar në mënyrë të dukshme vijën fatale. Kjo ka shtyrë FIFA-n të implementojë teknologjinë që në Botërorin 2014, ndërsa kampionati anglez është i pari që vë në zbatim një sistem të tillë në Evropë. (LajmeShqip.com)
Friday, 01 March 2013 10:16