Cristiano Ronaldo është thjesht i pashitshëm për Realin e Madridit. Dicka e tillë e tregon qartësisht fakti që Los Blancos kanë refuzuar një ofertë prej 150 milionë Eurosh nga Paris Saint Germain për sulmuesin portugez.
Sipas asaj që zbulon e përditshmja spanjolle “As”, e cila i referohet gazetës braziliane “Globoesporte”, në datën 31 Gusht që përkonte edhe me ditën e fundit të merkatos, presidenti i kampionëve të Francës, Nasser Al Khelaifi i paraqiti Realit të Madridit një ofertë prej 150 milionë Eurosh për të marrë shërbimet e Cristiano Ronaldos, por drejtuesit e klubit spanjoll e refuzuan atë.
Në këtë mënyrë Reali shfaq edhe njëherë besimin e madh që ka te ylli luzitan i cili pavarësisht moshës vazhdon të mbetet në qëndër të projektit që kanë Los Blancos për të ardhmen. Cristiano Ronaldo, kartoni i të cilit i kushtoi arkave të Realit të Madridit 94 milionë Euro në verën e vitit 2009, në 302 ndeshje të zhvilluara me klubin mbretëror ka arritur të shënojë plot 313 gola, duke qenë vetëm 10 finalizime larg shënuesit më të mirë të gjitha kohërave te Reali, spanjollit Raul Gonzales Blanco.
Ndërkohë mediat angleze nga ana tjetër bëjnë të ditur se edhe Manchester United po përgatit një ofertë për të bërë të mundur rikthimin e Ronaldos në Old Trafford në sezonin 2016-2017. Gjithsesi aktualisht CR7, është i lumtur te Reali edhe pse nuk përjashtohet mundësia që verën e ardhshme ai ti japë lamtumirën 10-herë kampionëve të Europës.
Monday, 07 September 2015 21:02