Çezare Prandeli ka pranuar se nuk e di se ku mund të arrijë Italia e tij në pjesëmarrjen në Euro 2012. Trajneri i kësaj përfaqësueseje insiston se italianët nuk kanë një objektiv të qartë për pjesëmarrjen në turne, ndërsa shton se nuk është i sigurt nëse fituesit e Kupës së Botës 2006, do të jenë protagonistë të rëndësishëm të turneut.
“Të jem i sinqertë, jam kureshtar të shoh nëse kemi apo jo një skuadër të fortë mjaftueshëm për të bërë diçka në këtë turne. Nuk kam pakënaqësi të asnjë lloji. Objektivi ynë ishte të kualifikoheshim në Euro 2012, por mënyra se si e arritëm këtë gjë, na bëri të lumtur pasi askush nuk e priste që ne të luanim në nivel aq të lartë”.
“Por që nga ai moment kemi patur probleme të vazhdueshme me dëmtimet apo me lojtarët që nuk u paraqitën siç pritej. Kjo na bën të kemi dyshime nëse mund të luajmë në një mënyrë të caktuar dhe të jemi protagonistë të rëndësishëm në këtë turne”, tha ai.
Italia ka rënë një grup aspak të lehtë ku do të vihet përballë Spanjës në ndeshjen e hapjes, për të vazhduar më pas me Kroacinë dhe në fund me Irlandën. Shanset e kësaj kombëtareje duket se do të varen shumë nga forma e dyshes sulmuese Kasano-Baloteli, ku ky i fundit po riaftësohet nga një dëmtim i lehtë në kofshë, por pritet të jetë titullar ndaj spanjollëve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 06 June 2012 16:01