Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, beson se skuadra që ai drejton do të udhëtojë drejt Kampionatit Evropian që zhvillohet këtë verë me qëllimin e vetëm për ta fituar këtë turne.
Skuadra italiane është në një grup relativisht të vështirë, përkrah Spanjës që është Kampione e Evropës dhe Botës, Kroacisë dhe Irlandës. Por pavarësisht parashikimeve të zymta për kombëtaren e tij, Prandeli është optimist se në qershor do të shihet cilësia e ekipit që ai drejton.
“Mendoj se çdo trajner në çdo nivel, para fillimit të një ndeshje mendon se ai mund të fitojë. Ne kemi eksperiencën që nevojitet për t’u përballuar me skuadra e mëdha dhe sigurisht që kemi besimin që kemi krijuar brenda grupit”, tha ai për mediat italiane.
“Kjo do të thotë se në momentet e vështira, ne e dimë se jemi bashkë, kur nevojitet kemi dëshirën për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe jam po ashtu i bindur se mund të luajmë një futboll cilësor. Ne nisemi drejt Kampionatit Evropian për ta fituar”, ishin fjalët e ish-trajnerit të Fiorentinës. (LajmeShqip.com)
Friday, 04 May 2012 16:42