Trajneri i Italisë, Çezare Prandeli, ka çuditur të gjithë duke deklaruar se Japonia është favorite për të fituar përballë të kaltërve në sfidën e Kupës së Konfederatave, pasi ka një trajner italian si dhe kishte një ditë më shumë pushim. Prandeli është i bindur se njohuria që Alberto Zakeroni ka për lojtarët italianë mund të bëjë diferencën në këtë sfidë.
“Mendoj se Japonia do të ketë një avantazh të lehtë, pasi ata kishin një ditë më shumë pushim se ne. Për më tepër, Alberto na njeh shumë mirë, e di se si punojmë. Pres që ai të ndërtojë një kurth për ne. Besoj se do të shfaqet kundër nesh me një strategji interesante”, deklaroi Prandeli.
Kjo ndeshje mund të rezultojë vendimtare për Japoninë, e cila në rast humbje ndaj Italisë, i jep lamtumirën turneut, pasi është mundur nga Brazili me rezultatin 3-0 në sfidën e parë.
“Ne hyjmë në fushën e lojës duke e ditur se kjo është një finale për ne. Do të japim maksimumin pasi e dimë që nëse nuk fitojmë, përfundon gjithçka”, deklaroi Zakeroni në konferencën e tij për shtyp. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 18 June 2013 08:03