Trajner i kombëtares italiane të futbollit, Çezare Prandeli, nuk ka hedhur poshtë mundësinë e kthimit të Françesko Totit mes “të kaltërve” për Kampionatin Evropian.
Pas dy golave që e bënë rekordmen absolut në kampionatin italian me 211 gola të shënuar me të njëjtën fanellë, Toti shihet që është në formën e tij më të mirë. Për këtë arsye, ai mund t’i shërbejë Italisë të cilës i mungon pak fantazi në vijën e parë të sulmit, duke patur parasysh dëmtimet e Kasanos dhe Rosit.
“Në fund të sezonit do të bëjmë bilancin e gjendjes fizike të disa lojtarëve të mëdhenj si Françesko. Më pas do të vendosim nëse do të integrojmë disa risi në krahasim me atë që ishte projekti ynë fillestar”, ishin fjalët e Prandelit për mediat italiane duke lënë rrugën e hapur për kthimin në kombëtare të numrit 10 të Romës.
Ndonëse trajneri italian kishte planifikuar të ndërtonte kombëtaren nga e para duke i dhënë lamtumirën disa prej “veteranëve”, ai ka ndërruar mendje duke parë formën e mirë që ata po kalojnë. Përveç Totit, pranë kthimit në kombëtare është edhe 34 vjeçari Antonio Di Natale, i cili prej 3 vitesh dominon tabelën e golashënuesve në Serinë A. (LajmeShqip.com)
Monday, 23 January 2012 12:23