Kristiano Ronaldo nuk do të aktivizohet me Portugalinë në ndeshjen miqësore të planifikuar kundër Gabon në mesjavë. Vendimi u mor bashkërisht nga stafi mjekësor i Portugalisë si dhe ai i Real Madrid, pasi futbollisti humbi përkohësisht shikimin në të dy sytë, pas një goditje me bërryl që mori në ndeshjen kundër Levante, ku u largua nga loja pas pushimit të ndeshjes.
“Ai u turbullua. Në pjesën e parë ai nuk ishte në gjendje të shihte mirë me syrin e dëmtuar, por gjatë pushimit të ndeshjes, ai nuk arrinte të shihte mirë me asnjë prej syve”, tregoi Zhoze Murinjo.
“Si rrjedhojë, mu desh ta largoja nga fusha e lojës. Do ta dërgojmë në spital për testet që i nevojiten”, tha tekniku i madrilenëve rreth dëmtimit të lojtarit portugez.
Real Madrid ka kontaktuar menjëherë me drejtuesit e Federatës Portugeze duke i shpjeguar situatën dhe është rënë dakord që futbollisti të shkonte në Lisbonë, por vetëm për t’u parë nga afër nga specialistët e stafit mjekësor të kombëtares. Më pas, ai do të kthehet në Madrid për t’u konsultuar me specialistë okulistë, pasi drejtuesit e Real Madrid nuk duan të rrezikojnë yllin tyre. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 November 2012 19:01