Policia lokale në Bahrein ka konfirmuar se ka arritur të ndalojë me sukses tentativën e një sulmi terrorist gjatë Çmimit të Madh të Formula 1 të zhvilluar në fundjavë në këtë vend. Shefi i policisë pranë pistës së Sakhir, Tarek al-Hasan, ka komunikuar se janë arrestuar dy gra të dyshuara se po planifikonin një sulm terrorist gjatë garës të së dielës.
Sipas informacioneve paraprake të shpërndara për shtypin, sulmi në fjalë nuk ka lidhje me terrorizmin brenda vendit, por është sponsorizuar nga një organizatë jashtë Bahreinit. Meqë dyshohej se do të kishet sulme, policia vendase kishte aktivizuar 8 mijë njerëz për të ruajtur sigurinë gjatë fundjavës.
Gjenerali Al-Hasan ka shpjeguar se në kontrollet e kryera për të ndalur këtë sulm terrorist në garë, janë ndalur 1 mijë bomba molotov, 137 goma të destinuara për t’u djegur në pistën e garës dhe 72 fikëse zjarri që do të përdoreshin më pas si bomba për t’u shpërthyer në mes të turmës, për të shkaktuar sa më shumë viktima. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 23 April 2013 19:21