Akuzat e rënda të trajnerit të Juventusit, Antonio Konte, ndaj gjyqtarëve, kanë sjellë reagime të ashpra nga ekipet rivale, të cilat i kanë cilësuar të padrejta dhe të papërshtatshme fjalët e teknikut të kampionëve të Italisë.
Thumbimi i parë atij i ka ardhur nga presidenti i Interit, Masimo Morati, i cili ka bërë të qartë se edhe ai që është cilësuar trajneri më problematik, Zhoze Murinjo, nuk ka reaguar në të njëjtën mënyrë si trajneri i Juventusit. “Murinjo bëri gjestin e prangave, por nuk e kam parë asnjëherë të shkojë të sulmojë një gjyqtar”, ishte komenti i Moratit që duket se është shqetësuar nga protesta mëse e ndezur e Kontes në fund të ndeshjes.
Një reagim negativ ka ardhur edhe nga portieri i Napolit, rivalit direkt të Juventusit, Morgan De Sanktis. “Turp? Sipas meje kjo fjalë është më e përshtatshme për reagimin pas ndeshjes, jo për gjykimin e arbitrit Guida. Mendoj se dikush duhet të tregohet më i ndërgjegjshëm dhe të kërkojë falje. Përshtypja ime është se te Juventusi nuk ekziston një klimë e qetë”, ishte thumbimi i portierit që ka një të kaluar në radhët e bardhezinjve pasi ka dalë nga akademia e kësaj skuadre.
Pas këtyre kritikave dhe pas faktit se Federata Italiane ka dërguar në FIFA dhe UEFA videon e penalltisë së pretenduar nga bardhezinjtë, për të marrë një mendim nga ekspertët ndërkombëtarë rreth këtij episodi, edhe trajneri Antonio Konte është detyruar të bëjë prapakthehu në fjalët e tij.
“Jam dakord me përzgjedhësin Niki, gjyqtarët italianë janë më të mirët në botë. Kur nuk fitoj, nuk fle rehat, pasi edhe barazimi është si një gjysmë humbje. Gjyqtarët janë një skuadër si ne, punojnë si ne nën trysni dhe mund të ndodhë që të gabohen, por është e rëndësishme që puna të bëhet me seriozitet”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 28 January 2013 11:00