Atmosfera para “El Clasico” të Kupës së Mbretit është ndezur nga deklaratat e atyre që do të drejtojnë dy ekipet nga pankina, Zhordi Roura dhe Zhoze Murinjo. I pari ka kritikuar gjyqtarin Undiano Majenko të caktuar për këtë ndeshje, ndërsa i dyti ka kujtuar se si Barcelona e mbante veten për shembull të sportivitietit që nuk ndikon kurrë të gjyqtarët.
Roura duket se nuk ka qenë i kënaqur me përzgjedhjen e këtij gjyqtari për ndeshjen, duke kujtuar precedentët me të. “Me Undiano, statistikat tona janë më të këqija se me të tjerët dhe të vetmen ndeshje të humbur në kampionat e kemi nën drejtimin e tij. Na kujtohet mirë mënyra se si lejonte lojën e ashpër në ndeshjen e Kupës përballë Realit. Gjëja më e mirë që mund të ndodhë nesër është që ai të kalojë pa u vënë re gjatë ndeshjes së nesërme”, tha Roura, që do të ulet në stolin e skuadrës në vend të Tito Vilanovës, i cili vazhdon të jetë në Nju Jork.
Nuk ka vonuar replika në distancë e Murinjos, i cili u ka kujtuar katalanasve se shumë shpejt kanë harruar parimin e viteve të kaluar për të mos u marrë më gjyqtarët, para dhe pas ndeshjeve.
“Unë por vete preferoj leksionet që kam marrë në të kaluarën nga Barcelona. Leksione mbi sportivitetin si të mos bësh trysni ndaj gjyqtarit, të mos e rrethosh atë në ndeshje, të mos kërkosh karton të verdhë për kundërshtarin dhe sidomos si të luash futboll. Ata e bëjnë shumë mirë një gjë të tillë”, ishte komenti ironik i trajnerit portugez. (LajmeShqip.com)
Monday, 25 February 2013 18:26