Trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, ka bërë të ditur se mesfushori veteran i kësaj skuadre, Pol Skols, ka firmosur të hënën rinovimin e kontratës edhe për sezonin e ardhshëm.
Futbollisti 37 vjeçar la futbollin në fundin e sezonit të kaluar por u kthye përsëri në janar të këtij viti duke ndihmuar skuadrën me disa paraqitje të shkëlqyer, duke i siguruar vetes një tjetër kontratë me klubin e vetëm me të cilin ka luajtur gjatë karrierës së tij dhe ku ka debutuar në vitin e largët 1993.
“Ka përfunduar gjithçka, ai do të qëndrojë”, ka treguar Ferguson për televizionin e klubit, MUTV.
Paraqitjet e Skols mund të sjellin përfshirjen e tij në kombëtaren angleze nga Roi Hodgson për pjesëmarrjen në Euro 2012, ndonëse mesfushori i ka dhënë lamtumirën kombëtares që pas Euro 2004.
“Unë jam shumë i kënaqur”, ishin fjalët e Ferguson. “Ai e di që bëri një gabim duke u tërhequr nga futbolli. Ai tani e kupton se duke luajtur 25-30 ndeshje në sezonin e ardhshëm, ai do t’i luajë në cilësinë më të lartë. Ky do të jetë vitit i fundit për Pol. E njohim mirë, pasi ka qenë me ne që fëmijë”, tregoi Ferguson për marrëveshjen e re me atë që cilësohet si një nga pasardhësit e tij të mundshëm në drejtimin e Mançester Junajtid kur skocezi të vendosë të largohet nga kjo skuadër . (LajmeShqip.com)
Tuesday, 15 May 2012 09:18