Legjenda e futbollit anglez, Pol Gaskonj, po lufton për jetën e tij, pasi ka pësuar një reagim të fortë ndaj mungesës së alkoolit në organizëm. Lojtari tashmë është shtruar në reanimacionin e klinikës në SHBA ku shkoi për rehabilitim, por ku ka pësuar këtë reagim të fortë pasi organet e tij filluan të mos punonin.
Një burim pranë lojtarit ka treguar për mediat britanike se situata është përkeqësuar që nga momenti kur ai u shtrua në këtë klinikë rehabilitimi pas varësisë së theksuar ndaj alkoolit.
“Gaza është në gjendje të keqe. Ai është shumë më keq sesa ishte dhe ka nevojë të jashtëzakonshme për ndihmë. Ka simptoma të theksuara që kanë lidhje me mungesën e konsumit të alkoolit që nga momenti kur hyri në klinikë. Organet e tij kanë filluar të mos funksionojnë dhe ai ka përfunduar në reanimacion gjatë natës së mbrëmshme. Kjo është një situatë e rrezikshme për jetën e tij dhe ka nevojë për trajtim mjekësor të specializuar”, tregoi ky burim për gazetën “The Sun”.
I njëjti burim ka konfirmuar se ish-ylli i kombëtares angleze tashmë ka mbetur pa para, si pasojë e shumë viteve abuzim me alkoolin dhe nuk ka as ato që i duhen për të paguar faturën e qëndrimit në klinikën amerikane të rehabilitimit.
Rreth 25 mijë paund janë mbledhur nga miqtë e ish-futbollistit për të paguar regjistrimin fillestar në këtë klinikë të specializuar, ndërsa udhëtimin e tij në SHBA e siguroi vetë kompania e fluturimeve “British Airways”.
Për të kuptuar se sa e rëndë është situata e Gaskonj me varësinë ndaj alkoolit, mjafton të kujtosh se në ditën kur udhëtoi drejt SHBA, ndërsa shoqëruesi i tij shkoi në tualetin e aeroportit, Gaskonj vrapoi me shpejtësi drejt një prej lokaleve në aeroport dhe porositi një birrë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 10 February 2013 11:10