Pol Pogba ka treguar se shpreson të ndjekë hapat e ish-lojtarit të Juventusit dhe kombëtares franceze, Patrik Vieira, duke u bërë një nga mesfushorët më të mirë në botë.
Lojtari shumë shpejt do të vihet nën urdhrat e Antonio Konte te skuadra bardhezi, të cilën e preferoi para Mançester Junajtid, ku ka kaluar vitet e fundit në akademinë e “djajve të kuq”. Ai tashmë mendon se mund të jetë një zëvendësues i denjë për Andrea Pirlon në mesfushën e bardhezinjve, ndonëse stili i tij i lojës i përshtatet më shumë asaj që bënte Vieira.
“Andrea Pirlo është një lojtar i madh dhe ju garantoj që mund të luaj para mbrojtjes ashtu siç bën ai. Por do thosha se stili im i lojës inspirohet nga ai i Patrik Vieira, ndonëse do të dëshiroja që të njihesha për atë që do të shfaq unë në lojë”.
“Kush më pëlqen më shumë nga kampionati italian? Ka tre lojtarë që më kanë bërë shumë përshtypje: Zlatan Ibrahimoviç, Andrea Pirlo dhe Klaudio Markizio”, ishin fjalët e mesfushorit të ri francez. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 11 July 2012 14:10