Lukas Podolski do të veshë fanellën e Arsenalit në fundin këtij sezoni pasi Këlni ka pranuar ofertën prej 13 milionë eurosh të bërë nga klubi anglez.
Mediat angleze spekulonin prej ditësh se lojtari kishte gjetur akordin personal me skuadrën angleze dhe tashmë priste vetëm marrëveshjen mes klubeve për transferimin e 26 vjeçarit.
Ka qenë revista gjermane “Bild” ajo që ka dhënë lajmin duke konfirmuar se futbollisti pritet të përfitojë rreth 7 milionë euro në vit në Angli për katër vitet e ardhshme.
Me blerjen e Podolskit, Arsenal po mundohet të bindë disa nga yjet e saj të qëndrojnë, duke filluar nga Robin Van Persi i cili do të formonte një dyshe të frikshme në repartin e avancuar falë bashkëpunimit me futbollistin gjerman.
Lajmi është konfirmuar të mërkurën në darkë edhe nga mbrojtësi gjerman i Arsenalit, Per Mertesaker, i cili deklaroi në televizionet gjermane se lojtari e kishte pyetur vazhdimisht për jetën në Londër.
“Ai më ka dërguar vazhdimisht SMS duke më pyetur se si jetohet këtu dhe çfarë skuadre është Arsenali, ndërsa unë i jam përgjigjur se po vjen në një klub të mrekullueshëm”, tregoi Mertesaker.
Objektivi i radhës për Arsenalin është të bindë Borusian e Dortmundit t’i shesë yllin e saj, Mario Gëtze. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 March 2012 11:45