Lukas Podolski ka bërë të qartë se është i gatshëm të luajë edhe mbrojtës i majtë nëse është e nevojshme për të fituar një vend në formacionin e kombëtares gjermane të drejtuar nga Joakim Lëv.
Sulmuesi i Arsenalit ka luajtur nga 15 minuta në secilën prej 2 kualifikueseve të Gjermanisë kundër Austrisë dhe Ishujve Faroe, por është në skuadrën e Lëv për ndeshjet e radhës kundër Republikës së Irlandës dhe Suedisë, ku pritet të jetë titullar.
“Të gjithë duam të luajnë, por e rëndësishme është të arrijmë një objektiv të përbashkët”, deklaroi lojtari për “Kicker”. “Nuk ka rëndësi pozicioni në të cilin luaj, unë jam i gatshëm të luaj edhe si mbrojtës i majtë”.
Podolski, që ka shënuar 2 gola në 7 ndeshje me Arsenalin në këtë sezon, ka pësuar një dëmtim të lehtë gjatë stërvitjes së fundit me kombëtaren, por stafi i skuadrës ka bërë të ditur se nuk ka asgjë shqetësuese.
“Podolski dhe Gëtze kishin nevojë për asistencën e doktorëve”, pranoi ndihmëstrajneri i Gjermanisë, Hansi Flik. “ Lukas ka probleme me kaviljen, ndërsa Mario ka problem muskulor. Thjesht jemi munduar që t’i ruajmë në fund të seancës stërvitore, ku rritet intensiteti i ushtrimeve”, shpjegoi ai. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 October 2012 08:40