Lukas Podolski u ka treguar miqve të tij se tashmë është i frikësuar se mos Arsenali do ta shesë në verë, pasi eksperienca në vitin e tij të parë të “topçinjtë” nuk ka shkuar ashtu siç pritej. Lojtari gjerman që u ble për 11 milion paund një vit më parë nga Këln, ka rreth dy muaj që nuk luan si titullar dhe kjo i ka krijuar bindjen se Venger dëshiron ta largojë.
“Lukas është i lumtur te Arsenali, ai i adhuron tifozët e skuadrës dhe i pëlqen shumë të jetojë në Londër. Por ai është i shqetësuar se mos Venger ka një problem me të”, deklaroi një i afërt i lojtarit për “The Sun”. “Ai është i stresuar se nuk ka luajtur prej shumë kohësh, ai është një futbollist me eksperiencë që dëshiron të luajë futboll”.
27 vjeçari, që regjistron 108 ndeshje me kombëtaren gjermane, ka arritur të shënojë 13 gola dhe ka dhënë 9 pasime me fanellën e Arsenalit, por kjo nuk i ka garantuar atij një vend në formacion, duke u kthyer tashmë në një zëvendësues për Zhirud. Për lojtarin kanë shfaqur interes gjatë kohëve të fundit skuadra si Atletiko Madrid dhe Juventus. (LajmeShqip.com)
Saturday, 13 April 2013 10:15