Durrës – Futbollistët e Kombëtares Shqiptare të futbollit, që janë grumbulluar në hotel “Dyrrah” në Durrës, kanë shprehur besim në lojën e grupit për ndeshjen e ardhshme më 7 qershor ndaj Bosnje-Hercegovinës,në kuadër të eliminatoreve të Kampionatit Evropian.
Tashmë në Durrës, ku grumbullohet prej kohësh ekipi ynë përfaqësues, kanë mbërritur22 nga lojtarët e ftuar prej trajnerit Kuzhe, ndërsa pritet të bashkohen me grupin edhe Ujkani e Dallku.
Sot në mesditë gjatë takimit të parë me mediat, një javë para takimit që do të zhvillohet në Bosnjë, futbollistët Edmond Kapllani, Andi Lila dhe Admir Teli nënvizuan rëndësinë e lojës në grup, për të marrë një rezultat pozitiv ndaj kundërshtarit të radhës.
Sulmuesi Edmond Kapllani tha se do të jetë në dispozicion të trajnerit Kuzhe, megjithë dëmtimet që e kanë mbajtur më shumë se 2 muaj larg fushës së futbollit gjatë sezonit që sapo përfundoi.
I pyetur për tërheqjen e paralajmëruar të Bogdanit nga ekipi përfaqësues Kapllani u shpreh i gatshëm të kontribuojë në rolin që do t’i besojnë në të ardhmen.
“Ndeshjet jashtë fushës sonë janë të vështira, por ne do të luajmë në grup dhe kemi besim në një rezultat pozitiv”, tha më pas Andi Lila, i cili në takimet me përfaqësuesen ka luajtur në disa pozicione.
Ai tha se në skuadër janë grumbulluar futbollistë cilësorë dhe se konkurrenca i bën mirë formacionit që do të përzgjidhet nga trajneri Kuzhe.
Lila nuk pranoi të komentojë të ardhmen e tij në skuadra të interesuara si Dinamo e Bukureshtit apo Hajduk i Splitit. “Unë jam përqëndruar në takimin e 7 qershorit ndaj Bosnjes dhe nuk dua të mendoj për gjëra të tjera”, shtoi Lila, një nga futbollistët e pakët të ekipit përfaqësues që luajnë në kampionatin shqiptar.
Admir Teli, futbollisti që vjen nga kampionati iAzerbajxhanit, u shpreh i kënaqur me ftesën për në ekipin kombëtar. “Ekipi i Bosnjes ka kaluar një periudhë të vështirë dhe do të kërkojë të marrë fitoren ndaj skuadrës sonë”, tha Teli, duke nënvizuar faktin se skuadra kundërshtare do të zhvillojë më parë edhe një ndeshje tjetër ndaj Rumanisë.
Tuesday, 31 May 2011 19:18