Kampioni i peshëngritjes Kim Byeong-chan vdiq i vetëm, i paralizuar dhe pa para. Aksidenti me motoçikletë ia shkurtoi karrierën dhe vdekja e tij është pasojë e ndjekjes së pamëshirshme të Koresë së Jugut për përsosmëri sportive.
Siguria e kufizuar sociale për sportistët që lëndohen seriozisht, apo që dështojnë të arrijnë nivelin e kërkuar, është brengë për shumë sportistë dhe sportiste në Korenë e Jugut, në vendin që doli në skenën e madhe Botërore kur organizoi Lojërat Olimpike Verore në Seoul në vitin 1988, përcjell sot Koha Ditore.
Regjimi i Park Chung-hee’s në vitet 1960 kishte vlerësuar sportin si mjet për të rritur profilin botëror të Koresë dhe për të fituar legjitimitet në shtëpi. Ishin investuar para të mëdha për të krijuar programe elitare për sportistë, si dhe për të marrë organizimin e garave të mëdha ndërkombëtare.
Derisa programet kishin nxjerrë Korenë si fuqi sportive dhe kishin nxjerrë sportistë të klasit botëror ato kishin po ashtu një anë të errët.
Sportistët në shkolla dhe universitete rrallë shkëlqejnë dhe ata inkurajohen të përqendrojnë gjitha forcat për t’iu bashkuar elitës sportive.
Ata që dështojnë të fitojnë tituj ndërkombëtarë apo të arrijnë në përfaqësuese kanë pak mbështetje kur karrierat e tyre sportive mbarojnë dhe mund të presin vetëm pak ndihmë nga Qeveria, thonë grupet përkrahëse.
Parlamentarja e Koresë së Jugut, Elisa Lee, e pranon nevojën për të ofruar përkrahje më të mirë për sportistët dhe për të prezantuar një fond që do të ofronte pensione për reprezentuesit që marrin lëndime serioze, duke e dizajnuar atë pension për “njerëzit me merita nacionale”.
Propozimi kishte kaluar në ligj në janar të vitit 2014, mirëpo është dashur gati dy vite për të finalizuar direktivat dhe standardet.
Ministria e Sportit ka nisur të pranojë aplikimet më 1 tetor. Një zyrtar i ministrisë ka thënë se deri tash ka marrë katër aplikime.
“Ligji është simbolik dhe tregon se vendi i mbron sportistët që të janë pjesë e përfaqësueses. Mirëpo, nëse vendi dëshiron vërtet të mbrojë njerëzit e sportit, atëherë duhet të reformojë sistemin për mirëqenien e sportistëve”, ka thënë Lee.
Lee, një ish-kampione e botës në pingpong, thotë se është pak e besueshme që ligji të zgjerohet dhe të përfshijë edhe sportistët që nuk janë pjesë e përfaqësueses.
Monday, 02 November 2015 08:12