Nis zyrtarisht aventura e Andrea Pirlos te New York City.
Mesfushori 36-vjecar u prezantua përpara mediave nga trajneri i skuadrës Jason Kreis. Ashtu sic ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij te Milani dhe Juventusi edhe te New York City, Pirlo do të mbajë veshur fanellën me numrin 21. Pas dy dekadash të mbushura me suksese “Profesori” sic quajnë në Itali vendosi të provojë një eksperiencë të re. Te formacioni nju-jorkez Pirlo do të ketë shokë skuadre dy lojtarë të tjerë shumë të njohur si Frank Lampard dhe David Villa, dhe të tre së bashku do të synojnë të fitojnë titullin e Major League Soccer.
” Unë nuk kam ardhur këtu për turizëm por për të luajtur futboll. Jam i lumtur që jam bërë pjesë e kësaj skuadre, shpresoj të debutoj sa më shpejt. Gjatë këtyre viteve kam luajtur me shumë kampionë dhe kam kuptuar që gjithmonë gjëja më e rëndësishme është skuadra. Grupi qëndron përpara cdo individi. Do të vihem në dispozicion të trajnerit dhe të shokëve të ekipit për të arritur rezultaetet më të mira të mundshme. Kam shumë dëshirë të nis këtë eksperiencë të re. Ditët e para kanë shkuar mirë tani më duhet vetëm të arrij formën time optimale për të luajtur. Dëshiroj që kjo përvojë të shndërrohet në dicka të rëndësishme”.
Por cfarë e shtyu Pirlon të zgjidhte Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vijuar karrierën, kur në adresë të tij kishin mbrritur edhe oferta nga disa klube europiane?
” A kam ardhur këtu për para? Paratë për mua asnjëherë nuk kanë qenë një qëllim apo një mision për jetën. Nëse një futbollist zbret në fushë dhe tregon që di të luajë mirë është e drejtë që të paguhet. Për mua futbolli është një gjë ndërsa paraja dicka tjetër. Kam fatin të mos luaj për para por për dashurinë që kam ndaj futbollit. MLS është një kampionat në rritje ndërsa New Yorku një qytet fantastik për këtë arsye zgjodha të vija këtu”.
Friday, 24 July 2015 15:04