Mesfushori i Juventusit dhe Italisë, Andrea Pirlo, ka deklaruar se do të ishte shumë i lumtur nëse emri i tij do të figuronte mes 10 të parëve në listën e më të votuarve për “Topin e Artë”.
Një nga mesfushorët më të spikatur të viteve të fundit, Pirlo shihet si një nga lojtarët që mund të pretendojnë për trofeun, falë paraqitjeve të tij të shkëlqyera në sezonin e kaluar me Juventusin dhe sidomos në Euro 2012 me kombëtaren italiane.
Por sipas tij, dy zgjedhjet më të mundshme janë Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi, të cilët janë shumë më superiore se futbollistët e tjerë kandidatë.
“Për shumë vite më radhë, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo do të vazhdojnë të jenë më të mirët. Pas tyre vjen Ksavi, Iniesta dhe të tjerët. Unë për vete shpresoj të jem mes 10 më të votuarve”, tregoi Pirlo para gazetarëve duke bërë të qartë se mendon që nuk ka shanse të fitojë trofeun në fjalë.
Lojtari më pas ka folur edhe për sfidën e rëndësishme të të dielës, kur Juventusi do të përballet me ish-skuadrën e tij, Milanin.
“Ndeshja kundër Milanit është shumë e veçantë për Juventusin. Shpresoj që të fitojmë, ndonëse Milani është një skuadër e fortë. Kur skuadra të mëdha vihen përballë, nuk ka kurrë probleme përqendrimi apo motivimi”, tha ai duke lënë të kuptohej se bardhezinjtë ishin gati për këtë sfidë. (LajmeShqip.com)
Friday, 23 November 2012 15:01