Mbrojtësi i Barcelonës, Zherard Pike, ka nisur një tjetër etapë të sulmit të tij verbal kundër Zhoze Murinjos, në një debat që vijon prej shumë kohësh mes dy palëve. Lojtari nuk ishte pjesë e ekipit në barazimin 2-2 të ndeshjes së fundjavës, por nuk ka ngurruar të vazhdojë luftën e fjalëve me teknikun portugez.
“Është e qartë se nuk ekziston i njëjti tension ndaj Barcelonës që Murinjo kishte në sezonin e kaluar”, tha ai për “Catalunya Radio”. “Murinjo e ka kuptuar që nuk ka nevojë të shohë Barcelonën, pasi nuk do të gjejë probleme aty”.
“Me sa duket, tani po i kërkon problemet në shtëpinë e vet”, ishte thumbimi i i lojtarit, i cili më pas ka treguar se për të, lufta për titull mbetet e hapur, pavarësisht kryesimit të hershëm të Barçës dhe një distancë prej 8 pikësh nga Reali që në këtë pjesë të sezonit.
“E vërteta është se ne presim një vit shumë të mirë, me shumë sfida dhe emocione. Është e vërtetë që kampionati nuk është fituar ende, por askush nuk e imagjinonte një fillim kaq të mirë. Mos harroni që në vitin tim të parë, kishim 12 pikë diferencë dhe na u desh të shkonim në “Santiago Bernabeu” për të fituar titullin kampion”.
Lojtari i thuri elozhe edhe trajnerit Tito Vilanova, që ka zëvendësuar Pep Guardiolën në drejtimin ekipit katalanas.
“Ai ka fituar besimin e të gjithëve në dhomat e zhveshjes. Tito ka diçka të veçantë. Ne parashikojmë se na presin disa vite të shkëlqyera me të në drejtim”. (LajmeShqip.com)
Thursday, 11 October 2012 09:20