Akuzat që u janë bërë futbollistëve të Spanjës për një festë “me pullë të kuqe” pas ndeshjes kundër Uruguait, ku mendohet se shoqërueset e disa lojtarëve u kanë vjedhur paratë këtyre të fundit, janë përgënjeshtruar nga mbrojtësi Zherard Pike. Ky i fundit është një lojtarët që ka bërë denoncim për vjedhje parash në dhomën e tij të hotelit në Recife.
“Gjithçka është një gënjeshtër. Federata ka bërë të qartë se do të tregojë edhe prova se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe shpresojmë që gjithçka të zgjidhet sa më shpejt”, tha futbollisti.
Sipas tij, gjithçka mund të jetë një shpikje e punonjësve të hotelit, pasi nuk ka shpjegim tjetër. “Të qëndrosh në një hotel ku të vjedhin është një eksperiencë aspak e kënaqshme. Mendoj se nuk duan të pranojnë vjedhjen nga ana e punonjësve të tyre apo mungesës së sigurisë, ndaj kanë shpikur një gjë të tillë”, ishte akuza direkte e Pike.
Megjithatë, mediat braziliane kanë bërë të qartë se tashmë është policia që po merret me këtë çështje dhe do të dalë me një qëndrim të qartë sapo të shohë kamerat e sigurisë të hotelit. Vetëm pas saj do të mësohet nëse lojtarëve spanjollë u janë vjedhur para nga dhomat e tyre apo kanë qenë “shoqërueset” që ua kanë marrë ato para se të largoheshin nga hoteli. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 25 June 2013 12:47