Qendërmbrojtësi i Barcelonës Xherard Pike, u ndëshkua me karton të kuq që në minutën e parë të pjesë së dytë të ndeshjes kundër Sporting Gijon pas një faulli ndaj De las Kuevas. Po sipas vetë futbollistit, vendimi ka qenë krejtësisht i padrejtë dhe i pamerituar ndërsa mendon se gjyqtari i ndeshjes ka vepruar në mënyrë të tillë me paramendim.
“Gjatë pushimit të ndeshjes i thashë gjyqtarit që kishte një penallti për shtyrje ndaj Keita dhe ai duket e mbajti mend. Unë ndjej se ai ka vepruar me paramendim për të më përjashtuar”, ishin fjalët e futbollistit pas përfundimit të ndeshjes.
Katalanasit kanë protestuar herë pas here për vendimet e gjyqtarit, i cili u mohoi atyre 3 penallti gjatë ndeshjes. Megjithatë, trajneri i katalanasve, Pep Guardiola, nuk ka dashur të bëjë polemika për gjykimin e ndeshjes dhe këtë rast në veçanti.
“Pike ishte lojtari i fundit. Nëse gjyqtari sinjalizoi për faull, do të thotë se e ka parë si të tillë”, komentoi shkurtimisht trajneri i Barcelonës, i cili ka bërë të qartë se nuk do të flasë më për gjyqtarët. (LajmeShqip.com)
Sunday, 04 March 2012 10:08